Dy shtetas të Kosovës, të moshës 58 dhe 37 vjeç, ndodhen në paraburgim në Gjermani nën dyshimin për përfshirje në dy zjarrvënie të rënda në ndërtesa banimi, njëra prej të cilave po hetohet edhe si tentativë vrasjeje.
Sipas Policisë së Ludwigsburgut dhe Prokurorisë së Shtutgartit, hetimet e zhvilluara gjatë muajve të fundit kanë forcuar dyshimet ndaj dy burrave për ngjarje të ndodhura në nëntor 2025 dhe mars 2026.
Rasti i parë lidhet me një zjarr që shpërtheu më 11 nëntor 2025 në një apartament në katin përdhes të një ndërtese shumëfamiljare në Brunnenstraße të Böblingenit.
Në atë kohë, një banor kishte dëgjuar një shpërthim të fortë rreth orës 19:15 dhe më pas kishte vërejtur zjarrin. Flakët u përhapën në zonën e ballkonit, ndërsa nga nxehtësia u thyen edhe xhamat e dritareve. Rreth 28 persona u detyruan të largoheshin nga ndërtesa dhe dy objekte fqinje, ndërsa dëmi ishte vlerësuar fillimisht në rreth 50 mijë euro. Askush nuk ishte lënduar.
Pas hetimeve të mëtejshme, policia thotë se është forcuar dyshimi se 58-vjeçari kosovar mund të ketë qenë i përfshirë në zjarrvënien e këtij apartamenti.
Hetimet më pas çuan edhe te një 37-vjeçar, po ashtu shtetas i Kosovës.
Sipas pretendimeve të hetuesve, 58-vjeçari dyshohet se e kishte angazhuar 37-vjeçarin për t’i vënë flakën një shtëpie në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch-Breitenstein, më 29 mars 2026.
Në atë rast, një grua 86-vjeçare ndodhej vetëm në shtëpi kur alarmi i detektorit të tymit e zgjoi rreth orës 21:00. Ajo arriti të dilte nga ndërtesa së bashku me qenin e saj pa pësuar lëndime. Zjarrfikësve iu deshën rreth tre orë për ta shuar zjarrin, ndërsa shtëpia mbeti e pabanueshme. Dëmi u vlerësua në rreth 200 mijë euro.
Për shkak të mënyrës se si dyshohet se është kryer zjarrvënia dhe faktit se brenda shtëpisë ndodhej një person, hetuesit e kanë trajtuar rastin edhe nën dyshimin për tentativë vrasjeje.
Pas hetimeve të përbashkëta të Policisë Kriminale të Ludwigsburgut dhe Policisë Kriminale të Kielit, të dy personat janë arrestuar në fillim të shtatorit.
Me kërkesë të Prokurorisë së Stuttgartit, 58-vjeçari dhe 37-vjeçari janë paraqitur para gjyqtarit në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit më 3 dhe 4 shtator.
Gjykata ka lëshuar urdhër-arreste ndaj të dy shtetasve të Kosovës nën dyshimin për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje, duke urdhëruar mbajtjen e tyre në paraburgim.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolin konkret të secilit të dyshuar dhe motivin e dy rasteve.
Të dy konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre eventuale të vërtetohet me vendim përfundimtar të gjykatës.






