Lokale - eSIMy

Ali Gashi, nga fshati Çabiq i Klinës, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 dhe ishte bashkëluftëtar i afërt i komandantit Mujë Krasniqi, ose i njohur ndryshe si komandant Kapuqi.

Veterani rrëfeu periudhën e luftës dhe përjetimet e tij, që nuk ishin aspak të lehta.

Pos të tjerash, ai foli edhe për vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Ai që e ndjen veten shqiptar, e ka përjetuar rëndë këtë vendim të padrejtë, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë dhe të pastër, krimet serbe që i ka Serbia në Kosovë nuk gjykohen fare, ne kemi luftuar në vendin tonë, nuk kemi luftuar as në Serbi e as diku tjetër, i kemi mbrojt familjet tona, vendin tonë. Ky vendim është shumë i padrejtë ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe në një farë forme nuk po mundemi me e pranu kurrqysh”, u shpreh Gashi në Klan Kosova.

“UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja, ka qenë e domosdoshme që të krijohet në atë kohë UÇK-ja. Unë si i ri, e kam përjetuar okupimin serb, e kom përjetu dhunën e tyre, e kam përjetuar helmimin e nxënësve, mbylljen e shkollave, dëbimin e njerëzve nga puna dhe detyrimisht ka qenë obliguese të formohet një forcë apo ushtri siç ishte UÇK-ja dhe t’ia kthente pushkën Serbisë. Kemi bërë luftë për çlirim dhe e kemi fituar edhe mbështetjen e aleatëve”, tha veterani.