Lokale - eSIMy

Albulena Haxhiu, ka vizituar sot familjen e heroit Afrim Bunjaku, në përvjetorin e rënies së tij në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Haxhiu u shprehu ngushëllime familjarëve, duke theksuar se dhimbja për humbjen e tij vazhdon të jetë e madhe, por se familja duhet të jetë krenare për veprën e tij.

“Mbahuni të fortë, e di që dhimbja vazhdon të jetë e madhe, por njëkohësisht jeni krenarë për veprën e tij”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se Kosova në vazhdimësi ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për transferimin në Kosovë të kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe personave të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës.

“Me e transferu në Kosovë kryeterroristin Milan Radojçiq dhe terroristët tjerë. Janë 40 që Kosova i kërkon dhe në vazhdimësi kemi bërë kërkesë tek partnerët tanë që t’i bëjnë presion Serbisë që ata t’i transferojë dhe të përballen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha Haxhiu.

Sipas saj, kjo çështje ka qenë ndër temat e diskutuara nga kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.