Një lajm shumë i mirë vjen për arsimin profesional në Podujevë. Nën udhëheqjen e drejtorit Fatmir Emini, IAAP “Fan S. Noli” ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme duke nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit me Odën Ekonomike të Kosovës, e cila synon fuqizimin e Arsimit Dual dhe krijimin e mundësive më të mëdha për nxënësit në tregun e punës.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i shkollës, Fatmir Emini, dhe kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, duke vendosur themele të reja bashkëpunimi ndërmjet shkollës profesionale dhe komunitetit të biznesit.
Ky partneritet trevjeçar do të mundësojë rritjen e përfshirjes së bizneseve në procesin arsimor, zgjerimin e mundësive për praktikë profesionale, mësim në vendin e punës dhe përgatitje më të mirë të të rinjve për sfidat e tregut modern të punës.
Nën drejtimin e Fatmir Eminit, IAAP “Fan S. Noli” po vazhdon të dëshmojë se është një nga institucionet më aktive në avancimin e arsimit profesional, duke ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me sektorin privat dhe duke krijuar mundësi konkrete për të ardhmen e nxënësve.








