Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Gazmend Selimit, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, në rastin ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Dardan Gashi në Lipjan.
Ngjarja kishte ndodhur mbrëmjen e 5 gushtit 2022, në një lokal në Lipjan, ku përveç viktimës, nga të shtënat me armë zjarri kishin mbetur të plagosur edhe dy persona. Në këtë rast i akuzuar është edhe Muhamet Gashi.
Sipas hollësive të publikuara të aktakuzës së ngritur më 14 nëntor 2024, Selimi akuzohet se, pas një mosmarrëveshjeje me viktimën dhe të dëmtuarin J.G., fillimisht e kishte goditur Dardan Gashin me grusht në fytyrë. Më pas, sipas Prokurorisë, Muhamet Gashi kishte shtënë me pistoletë në drejtim të tyre.
Aktakuza përshkruan se Dardan Gashi ishte qëlluar në gjoks, ndërsa J.G. kishte pësuar plagë të rëndë në bark. Personi tjetër, A.B., kishte marrë lëndime të lehta në këmbë nga predha e armës së zjarrit. Prokuroria e ngarkon Selimin me vrasje të rëndë në bashkëkryerje me Gashin.
Në seancën e 2 shtatorit, për të cilën kishte raportuar Gazeta Sinjali, kishte dëshmuar vëllai i viktimës. Ai kishte deklaruar para trupit gjykues se e kishte parë Muhamet Gashin duke shtënë me armë. Në atë seancë, Selimi ishte i pranishëm, ndërsa Gashi ishte sjellë nga paraburgimi.
Pas ngjarjes, të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes. Sinjali kishte raportuar më 23 gusht 2022 se Gazmend Selimi ishte dorëzuar në Polici, ku ishte intervistuar dhe më pas ishte dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim të formës së prerë.






