Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx, në të cilën nga shtatori i vitit të kaluar, për herë të parë, ka nisur aplikimi i programit akademik dygjuhësh anglisht-shqip.
Teksa u shpërndau nxënësve të kësaj shkolle, Fletore pune, Libër leximi dhe Abetare, në fjalën përshëndetëse, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës u është thellësisht falënderuese dhe do ta mbështesë këtë shkollë edhe në të ardhmen.
Duke e vlerësuar lartë përkushtimin e gjithë atyre që kanë punuar në inicimin e kësaj shkolle në gjuhën shqipe, në veçanti dy shqiptaro-amerikan, Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn, kryeministri Kurti tha se ruajtja e gjuhës sonë ka qenë një nga arritjet tona më të mëdha dhe një nga mjetet tona më të fuqishme.
“Në historinë tonë, ashtu edhe si në historinë e shumë popujve të tjerë të cilët janë përballur me pushtime e sundime të huaja, një nga instrumentet për t’i nënshtruar njerëzit ka qenë pikërisht ndalimi i gjuhës së tyre, përkatësish i shkollimit në gjuhën e tyre. Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Është edhe themel identiteti. Gjuha e bart kujtesën kolektive të një populli. Ajo e shprehë mënyrën se si, brez pas brezi, një popull ka mësuar t’i japë formë përvojës së vet, shtegun se si e ka kuptuar veten dhe botën përreth. Ajo është latuar ndër shekuj nga përvoja e brezave, nga përpjekja për ta kuptuar realitetin tonë dhe gjithashtu nga përballja me atë që të tjerët janë munduar të na e imponojnë”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti ka folur për mbijetesën e gjuhës shqipe, duke theksuar se ajo mbijetoi jo vetëm falë maleve të larta, që shpesh i mbrojtën shqiptarët nga pushtuesit dhe nga trysnitë e jashtme, por mbi të gjitha edhe falë dashurisë së njerëzve për gjuhën dhe vendosmërisë së tyre për t’ua përcjellë atë brezave që vijnë më pas.
“Shqipja ka mbetur edhe larg atdheut gjallë. Arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj. Dhe vetë gjuha e tyre na e tregon historinë e tyre: është një shqipe e cila e bart udhëtimin, largësinë nga atdheu dhe, njëkohësisht, rrënjosjen e thellë në identitetin shqiptar”, tha ai, duke shtuar se rilindësve tanë nuk u mjaftonte që shqipja vetëm të mbijetonte, por ata donin që ajo të ishte gjuhë e dijes, e kulturës së lartë, e shkencës së thellë dhe e mendimit po ashtu.






