Screenshot
Lokale - eSIMy

Deputetja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka komentuar deklaratat e aleatëve, duke thënë se me ta ish-presidenti Hashim Thaçi punoi nga dita e parë dhe se bashkë arriti suksese.

Çitaku falënderoi me ironi për propozimet që të pranohet vendimi sepse ai mund të apelohet.

“Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike. E tash paskan filluar të na thonë: pranojeni vendimin, sepse ka apel…Faleminderit shumë. Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Washingtonin”, shkroi ajo.

Çitaku shton: “Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar”.

“Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës. Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri”.