Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të partive politike kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Haxhiu dhe Kurti vendosën lule pranë memorialit, i cili ndodhet në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ndërsa më pas mbajtën edhe fjalime përkujtimore.
Haxhiu tha se 11 Shtatori, 25 vjet më parë, nisi si një mëngjes i zakonshëm, por u shndërrua në një ditë që ndryshoi historinë.
Ajo kujtoi pamjet e flakëve në New York dhe njerëzit në mbarë botën që mbetën para ekraneve duke ndjekur tragjedinë.
U bë mëngjesi që ndau kohën në para dhe pas 11 Shtatorit. Në ato orë, dhimbja kaloi kufijtë e Amerikës dhe u bë dhimbje e mbarë botës, tha ajo.
Haxhiu theksoi se Kosova e përjetoi atë tragjedi si dhimbjen e një miku të madh, duke kujtuar mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë vendit ndër vite.
Kur Amerika u godit më 11 Shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan si tragjedinë e një vendi tjetër. Dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona si dhimbja për një mik të madh, u shpreh ajo.
Sipas saj, pas një çerek shekulli, kujtesa nuk duhet të zbehet dhe brezat e rinj duhet ta dinë se solidariteti është po aq i rëndësishëm sa liria.
Kujtesa na kthen te ai mëngjes i kthjellët dhe te familjet e atyre që humbën më të dashurit e tyre. Kosova e ndjeu dhimbjen e Amerikës dhe sot ndan kujtimin e viktimave të 11 Shtatorit, tha Haxhiu.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se sulmet e 11 Shtatorit ishin sulmi më vdekjeprurës në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe një nga goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike.
“Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e tyre dhe bota pësoi një nga goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike”, tha Kurti.
Ai shtoi se Kosova qëndron përkrah SHBA-së jo vetëm sepse Amerika nuk e ka braktisur kurrë Kosovën, por edhe sepse përkushtimi ndaj lirisë dhe demokracisë mbetet i palëkundur.
“Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë, demokracisë dhe vendosmëria për t’i mbrojtur këto vlera është i palëkundur, deklaroi ai.






