Lokale - eSIMy

Sot, në moshën 77-vjeçare, ndërroi jetë Nasuf Salihu, një nga ndërmarrësit dhe figurat më të njohura të tregtisë në trevën e Llapit.

I shkolluar për tregti, Nasuf Salihu ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës zhvillimit të kësaj veprimtarie në Podujevë. Për vite me radhë ai udhëhoqi dyqanin kryesor të Gërmisë, në qendër të qytetit, duke u bërë një nga emrat e njohur të jetës tregtare të asaj kohe.

Pas masave të dhunshme dhe largimit të punëtorëve shqiptarë nga vendet e punës, ai, së bashku me familjen, iu kthye sipërmarrjes private.

Familja Salihu hapi ndër dyqanet e para private të tregtisë në Podujevë, me emrin Tregtar “Perani”, duke qenë pjesë e një periudhe të rëndësishme të zhvillimit të tregtisë private në Llap.

Më pas, Nasuf Salihu hapi edhe kafe-çajtoren e njohur “Tea”, e cila në vitet para luftës u bë shumë më tepër se një lokal i qytetit. Ajo ishte një pikë e njohur takimi për njerëz dhe veprimtarë të angazhuar në lëvizjet për liri, çlirim dhe pavarësi. Pas luftës, angazhimin e tij në sipërmarrje e vazhdoi me hapjen e restaurantit “Deni” dhe me veprimtari të tjera tregtare, traditë të cilën më pas e vazhduan familjarët e tij.

Me punën dhe angazhimin e tij ndër dekada, Nasuf Salihu mbetet një nga figurat kyçe të tregtisë llapjane, pjesë e një gjenerate ndërmarrësish që kontribuuan në zhvillimin ekonomik dhe jetën shoqërore të Podujevës edhe në periudhat më të vështira.

Përtej punës, ai do të kujtohet si një njeri thellësisht i përkushtuar ndaj familjes, bujar dhe bamirës, që u gjende pranë njerëzve në nevojë dhe ndihmoi pa kursyer. Kontributi i tij në tregtinë e Llapit, puna shumëvjeçare dhe mirësia ndaj njerëzve do të mbeten pjesë e kujtimit që la pas.