Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i ka kërkuar Greqisë të ndalojë armatosjen e ishujve në Egje që kanë status të çmilitarizuar.
Erdoğan tha se Turqia dëshiron marrëdhënie të mira me Greqinë, por paralajmëroi se Ankaraja nuk do të lejojë që të shkelen të drejtat e saj.
“Greqia duhet të heqë dorë nga kjo rrugë e gabuar dhe të ndalojë armatosjen e ishujve me status të çmilitarizuar”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se fakti që Turqia po ndjek një qasje të qetë dhe paqësore nuk duhet të shihet si dobësi.
“Kushdo që e sheh qasjen e qetë dhe të arsyeshme të Turqisë si dobësi, po bën një gabim të madh”, u shpreh presidenti turk.
Erdoğan tha gjithashtu se Turqia nuk pretendon territorin e vendeve të tjera, por kërkoi që edhe të drejtat e saj të respektohen.
Sipas tij, mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk i sjell dobi askujt.
Deklaratat Erdoğan i bëri gjatë kthimit nga Bishkeku, ku mori pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.






