Lokale - eSIMy

Dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa dhe Eliza Hoxha, kanë vazhduar edhe sot aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ata janë afruar te hyrja e objektit, ku janë përballur me dyer të mbyllura nga sigurimi. Deputetët e PDK-së e kanë pyetur sigurimin nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë.

“Deputeti Kurti a ka ardhë, a është këtu?”, kanë pyetur ata, duke iu referuar Kurtit si deputet.

Në një moment, sigurimi u ka thënë diçka deputetëve, por për shkak të dyerve të mbyllura, ata nuk kanë arritur ta dëgjojnë.

Sigurimi më pas e ka hapur derën për të komunikuar me deputetët.

“Thjesht po na intereson me e ditë nëse ka ardhë Kurti. Deputetë ne, deputetë ai, të zgjedhur ne, i zgjedhur ai”, kanë deklaruar Mustafa dhe Hoxha.

Ata kanë thënë se do ta presin Kurtin para dyerve të Qeverisë deri në ardhjen e tij.