Lokale - eSIMy

Një konflikt mes disa personave në Podujevë ka përfunduar me lëndime trupore, sekuestrimin e disa mjeteve që dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes dhe ndalimin e tre personave të dyshuar.

Sipas Policisë, personat e përfshirë në rast janë familjarë, ndërsa ngjarja ka ndodhur pasditen e 3 gushtit, rreth orës 18:20, kur Policia është njoftuar për një mosmarrëveshje që kishte eskaluar në përleshje fizike.

Sipas informacioneve policore, gjatë incidentit njëri nga personat e përfshirë ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor. Më vonë, edhe dy persona të tjerë janë paraqitur në Stacionin Policor, duke deklaruar se ishin sulmuar, ndërsa njëri prej tyre ka kërkuar gjithashtu ndihmë mjekësore.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia ka kryer kontrolle në disa lokacione, ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar një shufër druri dhe një shufër metali, për të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë përleshjes.

Pas intervistimit, ndaj tre personave është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.