Lokale - eSIMy

Irani refuzoi një propozim për armëpushim nga Presidenti Trump, i cili ia përcolli Teheranit nëpërmjet kryeministrit irakian Ali al-Zaidi.

Përpjekja e re për të ndërmjetësuar mes palëve erdhi ndërsa presidenti Trump kërcënoi me përshkallëzimin e luftës duke goditur infrastrukturën kritike të Iranit.

Gazeta New York Times citon zyrtarë iranianë, të cilët folën në kushte anonimati për shkak të çështjeve të ndjeshme të sigurisë kombëtare. Para vizitës në Teheran, kryeministri irakian al-Zaidi vizitoi Shtëpinë e Bardhë.

Detajet e propozimit për armëpushim janë ende të paqarta. Por zyrtarët iranianë thanë se ishte oferta e vetme në tryezë dhe se qeveria e tyre nuk është e interesuar për një marrëveshje të përkohshme që e lë çështjen e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit të pazgjidhur.

Mësohet se kryeministri irakian al-Zaidi udhëtoi në Teheran me një delegacion zyrtarësh të lartë dhe u takua me presidentin Masoud Pezeshkian; negociatorin kryesor të Iranit, gjeneral brigade Mohammad Bagher Ghalibaf; dhe ministrin e tij të jashtëm, Abbas Araghchi.

Araghchi i tha televizionit shtetëror se Irani dhe Iraku, ndajnë interesa të ndërsjella ekonomike, politike dhe të sigurisë, si dhe lidhje të ngushta dhe se vizita ishte e rëndësishme duke pasur parasysh rrethanat aktuale në rajon.

Ndërkohë forcat amerikane ndërmorën valën e 13-të të sulmeve ndaj Iranit në orët e para të së premtes.

Ushtria amerikane tha se goditi asetet dhe objektet ushtarake iraniane, duke përfshirë vende të ruajtjes së dronëve dhe pozicione të mbikëqyrjes bregdetare, për të zvogëluar kërcënimin ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Media zyrtare iraniane raportoi se raketat amerikane kishin goditur disa vende rreth kryeqytetit të Provincës Khuzestan të Iranit, e pasur me naftë.