Një konflikt i rëndë familjar në Podujevë ka përfunduar me ndërhyrjen e njësive speciale të Policisë, pasi një 63-vjeçar dyshohet se sulmoi djalin e tij me shkop, tentoi ta godiste me thikë dhe më pas kërcënoi se do të hidhej nga çatia e shtëpisë për t’i shmangur arrestimit.
Rasti ka nisur mëngjesin e 18 korrikut, rreth orës 08:00, në fshatin Llugë të Podujevës, pas një konflikti mes babait dhe djalit.
Dyshohet se pas një fjalosjeje, babai e ka goditur të birin disa herë me shkop druri, duke i shkaktuar lëndime trupore. Më pas, sipas deklarimit të viktimës, ai ka tentuar ta sulmojë edhe me thikë, por ndërhyrja e nënës ka bërë të mundur që 33-vjeçari të largohej dhe t’i shpëtonte sulmit.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas ka dhënë deklaratë në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale.
Pas denoncimit, njësitë policore kanë shkuar në shtëpinë e të dyshuarit, por ai është mbyllur brenda dhe më pas ka dalë në terasën e katit të dytë, nga ku u ka bërtitur zyrtarëve policorë se, nëse i afroheshin, do të hidhej nga lart.






