Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në Pejë, ku një 70-vjeçar dyshohet se është rrahur nga djali i tij brenda banesës familjare.
I dyshuari është M.B., rreth 40-vjeçar, ndërsa viktimë babai i tij, R. B., rreth 71-vjeçar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lekë Dukagjini”, ku pas një konflikti brenda familjes, 40-vjeçari dyshohet se e ka goditur babanë disa herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e sulmit, 70-vjeçari ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar nga Policia në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, ku ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Më pas ai është intervistuar nga hetuesit, duke deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga djali i tij.
Pas ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacion dhe është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” në kuadër të dhunës në familje, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Për rastin është njoftuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë duke vazhduar.






