“Kupola termike”, e cila ka shkaktuar temperatura rekord në Evropën Perëndimore ditët e fundit, tani po lëviz drejt lindjes, duke sjellë valën e të nxehtit në vendet e Evropës Qendrore, si dhe në pjesë të mëdha të Ballkanit.
Beogradi dhe Bukureshti panë temperatura përkatësisht 38 dhe 37 gradë Celsius të hënën. Sllovakia vendosi një rekord të ri temperature, duke arritur 40.5 gradë Celsius në një qytet në kufirin jugor, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40.3 gradësh të vendosur në vitin 2007.
Ndërkohë, temperaturat në Budapest pritet të kalojnë 40 gradë Celsius të martën.
Alarm i kuq për vapë ekstreme është lëshuar në Hungari, Poloni, Rumani, Serbi, Kroaci, Sllovaki dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa autoritetet po u bëjnë thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda gjatë orëve më të nxehta të ditës.
E gjithë kjo ndërsa Gjermania regjistroi të dielën një ditë të tretë radhazi me temperatura rekord, me të dhënat nga shërbimi meteorologjik DWD që tregonin 41.7 gradë Celsius në Kössen, Brandenburg. Nxehtësia ekstreme shkaktoi ndërprerje të udhëtimit në disa qytete pasi shinat e tramvajit u deformuan, ndërsa policia e Berlinit përdori topa uji për të ftohur njerëzit në hapësirat publike.
Në Kroaci, agjencia meteorologjike lëshoi një alarm të kuq të hënën për zona që përfshijnë kryeqytetin, Zagrebin, dhe destinacionet turistike të Splitit dhe Dubrovnikut. Dhjetëra zjarrfikës, me ndihmën e 4 avionëve, u përfshinë në shuarjen e një zjarri të madh që dogji pyjet e pishave në ishullin turistik të Visit në Detin Adriatik.
Në Ukrainë, rrjeti i dëmtuar i energjisë elektrike po përgatitet për një rritje të ndjeshme të kërkesës për energji elektrike, ndërsa temperaturat rriten. Sipas autoriteteve lokale dhe ofruesve të energjisë elektrike, disa zona kanë përjetuar tashmë ndërprerje emergjente të energjisë elektrike për shkak të nxehtësisë ekstreme.
Parashikimi për Shqipërinë
Instituti i Gjeoshkencave raporton se të martën temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 24 / 37 °C, në vendet e ulëta: 23 / 38 °C dhe në vendet malore: 17 / 32 °C.
Priten reshje të dobëta shiu në të gjitha qarqet. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, dhe Korçë priten shtrëngata lokale.
Parashikimi për Kosovën:
Në Kosovë sot pritet të mbajë mot mjaft i nxehtë. Temperatura maksimale pritet të arrijë në 35 gradë, sipas IHMKs-ë.
Megjithatë, gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu.
Megjithatë, nga dita e martë është parashikuar një destabilizim i motit që pritet të përfshijë shumë pjesë të Ballkanit.






