Një zhvillim i pazakontë ka shoqëruar hetimet për vrasjen e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Viktimë në këtë rast është Florim Haxhidema rreth 32 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.
Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike.
Sinjali mëson se banesa ku ndodhi ngjarja i përkiste Muhamet Begishollit. Në momentin e incidentit, sipas hetimeve, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj.
Burimet bëjnë të ditur se Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Ndërkohë, H. R., bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjeta Roshajt, në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.






