Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në fshatin Herticë të komunës së Podujevës, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e vajit motorik të dyshuar si i kontrabanduar nga territori i Serbisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti është zbuluar më 19 maj 2026, gjatë aktiviteteve të njësive policore kufitare për ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme ndërkufitare.
“Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve policore në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, njësitë policore kufitare, me datën 19 maj 2026, në fshatin Herticë komuna e Podujevës, kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra, me ç’rast është ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me 161 (njëqind e gjashtëdhjetë e një) bidonë të mbushur me gjithsejtë 2898 (dy mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tetë) litra vaj motorik të kontrabanduar nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, duke kaluar ilegalisht në rrugë malore përmes vijës kufitare”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, malli i sekuestruar është dërguar në terminalin doganor në Merdare për procedura të mëtejshme doganore nga Dogana e Kosovës.
Ndërkohë, me autorizim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare & kontrabandim me mallra”.
Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar, pas intervistimit, është liruar dhe rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.





