Lokale - eSIMy

Shkruan; Bujar Asllani

Ende më kujtohet fytyra që i shndriste dhe shtati djaloshar i Ilir Konushevcit. Kishte diçka të veçantë në paraqitjen e tij një qetësi burrërore dhe një vendosmëri që edhe një fëmijë mund ta ndiente pa pasur nevojë për shumë fjalë. Edhe pse isha i vogël dhe ndoshta duhej të qëndroja larg atyre ngjarjeve, kureshtja më shtynte t’i afrohesha sa më shumë asaj bote që po ndryshonte fatin e një populli.

Në ato vite, çdo hyrje e luftëtarëve në shtëpi sillte një atmosferë tjetër. Burrat flisnin me zë të ulët, fytyrat ishin serioze, ndërsa në ajër ndihej pesha e kohës që po afrohej. Unë i shikoja me admirim dhe përpiqesha të kuptoja se çfarë i bënte kaq të fortë e të vendosur. Për mua, ata nuk ishin thjesht njerëz me armë; ishin njerëzit që po merrnin mbi supe barrën e lirisë.

Iliri kishte ardhur shumë herë në shtëpinë tonë, por një natë ka mbetur e gdhendur përgjithmonë në kujtesën time. Ishte hera kur bashkë me bashkëluftëtarët sollën sasi të mëdha armatimi.Që më pasi i pordorën luftëtarët e zonës së Llapit. Mbaj mend lëvizjet e shpejta, kujdesin në çdo veprim dhe heshtjen që fliste më shumë se çdo bisedë. Për mua, atëherë fëmijë, ata dukeshin si personazhe të dalë nga rrëfimet heroike që dëgjoheshin fshehurazi ndër oda.

Edhe sot më kujtohet mënyra si ecënte Iliri, mënyra si fliste me njerëzit dhe respekti që zgjonte te secili që e takonte. Nuk kishte nevojë për fjalë të mëdha; prania e tij mjaftonte për të kuptuar se përballë kishe një njeri që jetën e vet e kishte lidhur me fatin e atdheut.

Lajmi për vrasjen e tij ra mbi ne si një hije e rëndë. E mbaj mend atë ditë jo vetëm për dhimbjen, por për heshtjen që mbuloi shtëpinë tonë.
Nuk do ta harroj kurrë ishte babi im. Ishte një nga ato herët e rralla që e pashë duke qarë. Lotët e tij nuk ishin vetëm për humbjen e një njeriu, por për humbjen e një miku, të një luftëtari dhe të një pjese të shpresës së asaj kohe të vështirë. Ato lot më bënë ta kuptoj, edhe pse ende fëmijë, se liria nuk vinte pa dhimbje dhe se pas çdo emri dëshmori fshihej një histori njerëzore, një familje dhe një mall i pashuar.

Sot, kur kujtoj Ilir Konushevcin, nuk më vjen ndër mend vetëm luftëtari me armë, por ai djaloshi me fytyrë të ndritur që sillte shpresë në kohët më të errëta. Dhe bashkë me kujtimin e tij më rikthehet gjithmonë edhe ajo pamje e babit tim duke qarë në heshtje — një kujtim që koha nuk ka mundur ta zbehë.