Në seancën e sotme ku po jepet fjala përfundimtare për vrasjen e Liridona Ademajt, prokurorja, Javorka Perlinçeviq ka paraqitur argumente të rënda që rëndojnë pozitën e Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë, shkruan Insajderi.
Përmes dëshmive të reja dhe raporteve të mjekësisë ligjore, prokuroria pretendon se vrasja ishte një skenar i përgatitur deri në detaje.
Një nga momentet më prekëse të seancës ishte leximi i dëshmisë së fëmijëve të çiftit, të cilët pas ngjarjes ishin dërguar në Suedi.
Sipas dëshmisë së paraqitur, djali i madh kishte rrëfyer tmerrin që kishte parë në prani të psikologut.
“Gjatë një vizite të fëmijëve në Suedi, djali i madh në prani të psikologut ka thënë: ‘Hajni e futi dorën dhe i bëri mamit bam’. Gjithashtu, Leonardi ka dëshmuar se fëmijët e kanë sqaruar qartë çështjen; ata nuk dëshirojnë të komunikojnë me babanë e tyre dhe i refuzojnë të gjitha thirrjet telefonike të cilat ua ka mundësuar Qendra për Punë Sociale në Suedi“, citohet të ketë thënë fëmija, duke konfirmuar se të vegjlit kanë qenë dëshmitarë të momentit tragjik.
Prokuroria ka përdorur dëshminë e ekspertit të mjekësisë ligjore për të rrëzuar versionin e “grabitjes së thjeshtë”. Eksperti ka vërtetuar se në trupin e të ndjerës është gjetur një hematomë, e cila përputhet me kohën pak para vrasjes.
“Në anën e majtë të shpatullës ka pasur një hematomë, koha e shkaktimit të së cilës përshtatet me periudhën jo më tepër se një orë para kryerjes së vrasjes. Ekziston mundësia që ajo nxirje të jetë shkaktuar nga gishtat e dorës”, thuhet në dëshminë e ekspertit që mbështet dyshimin se Naim Murseli e ka mbajtur me forcë viktimën.
Një tjetër pikë kyçe e prokurores ishte vërtetimi i komunikimit dhe bashkëpunimit mes të akuzuarve.
Edhe pse fillimisht u tentua të fshihej lidhja, dëshmitë e reja dhe pranimi i të akuzuarve treguan se Naim Murseli kishte shoqëruar Granit Plavën me veturën e tij “Range Rover” në momentin kur ishte marrë vetura “Seat” e përdorur në krim.
“Sa u përket dëshmitarëve të tjerë, të gjithë i kanë përsëritur deklaratat e dhëna në procedurën paraprake. Megjithatë, është e rëndësishme të ceket dëshmitari Aurel Pajaziti. Gjatë dëshmisë, ai u pyet nga trupi gjykues nëse kishte ndonjë person tjetër me Granit Plavën në momentin e dhënies së veturës; ai nuk e kishte njohur personin që shoqëronte Granitin. Mirëpo, gjatë dhënies së mbrojtjes, të akuzuarit e kanë pranuar se gjatë huazimit të veturës së llojit ‘Seat’ – të cilën ditën kritike e ka shfrytëzuar Granit Plava – me të ka qenë edhe i akuzuari i parë, Naim Murseli. Ata kishin shkuar aty me veturën ‘Range Rover’, që ishte në pronësi të Naimit”, tha prokurorja.






