Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.
Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Ministri Hoti e konfirmoi për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
“Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai.
Ministri Hoti në këtë intervistë është pyetur edhe për shkeljet tjera që ka konstatuar ky raport, për çka është rezervuar në përgjigje.
“Nuk mund t’i them të gjitha shkeljet që konstaton për shkak se është nën hetim prej prokurorisë. Por, të tregova çka konstaton raporti, një është që çështje ndërministrore, problemi nuk është vetëm te QPS-ja, por edhe te disa institucione tjera. A ka shkelje prej zyrtarëve komunal të QPS-së ose neglizhencë, mund ta konfirmoj që po, por më shumë nuk mund të flas në këtë aspekt. Këto dy veprime do të ndërmerren prej meje, neve, kërkesën për ta ftuar Donika Gërvallën që të ftojë këtë grupin koordinues dhe e dyta që t’i propozohet kryetarit të komunës që të ndërmerr masa disiplinore zyrtarëve aty. Licencën ndaj shefes së QPS-së, menaxheres së rastit, ne e kemi përgatitur dhe jemi për të ja tërhequr, por për një gjë të tillë na duhet koordinim ndërministror e ndoshta edhe prokurorisë…Jo qendrës, menaxheres së rastit dhe shefes së QPS-së nëse 100 për qind vërtetohet që nuk i kanë ndërmarrë veprimet që i ka obliguar gjykata në vitin 2023”, ka thënë Hoti.
Ai paralajmëroi se do të ftohet grupi ndërministror dhe po ashtu do të kërkohet nga kryetari i Lipjanit që të vendos masa disiplinore ndaj stafit të kësaj qendre.
“Po, raporti mua më ka ardhur, ju e dini që ky rast është nën hetim edhe nga Prokuroria e Kosovës, kështu që unë do të rezervohem shumë për të gjeturat e raportit. Dy gjëra që mund t’i tregojë që do t’i bëjmë është që t’i propozojmë koordinatores kombëtare, që në këtë rast është Donika Gërvalla që me thirr takimin e grupit koordinues ndërministror për mbrojtjen nga dhuna në familje. Sepse, e përmenda më herët Departamenti për Shërbime Sociale (QPS), politikat për to i bëjmë ne. Por, Qendrat e Shëndetit Mendor janë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Policia e Kosovës është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kështu që nevojitet një koordinim ndërministror në këtë rast për të parë se çfarë veprime do të ndërmerren dhe ku saktë është problemi”, deklaroi ai.
Për këtë vendim, Hoti tha se janë në pritje të disa hapave që po ndërmerren edhe nga institucione të tjera.
“Jemi në pritje sepse janë edhe disa hapa duke u ndërmarrë Inspektorati, në këtë rast janë duke ndërmarrë një verifikim me Policinë e Kosovës. Disa herë po them që nuk po dua të tregojë më shumë detaje në këtë raport, sepse nuk e di se çka mund të më bëjë mua pastaj. Por, në momentin që bëhen koordinimet me Policinë e Kosovës dhe verifikohet kjo që thash, po. Unë nuk mund të mos e marrë sepse një fëmijë sot është në spital, me gjymtyrë të dëmtuara, për faj të dikujt. Kështu që dikush këtu duhet të marrë përgjegjësi”, përfundon ai.
Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.
Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit. /Kp/






