Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës Valon Prebreza, ka thënë se është i përkushtuar që të vendos rend, ligjshmëri dhe siguri, për çdo qytetar dhe biznes në këtë komunë.
Ndërsa ka bërë të ditur se në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt legalizimit të të gjitha objekteve të kategorisë II, të ndërtuara deri në vitin 2018.
Prebreza po ashtu ka bërë të ditur se për këtë qëllim, tashmë është krijuar komisioni për shqyrtimin e aplikimeve për ndërtimet pa leje të kësaj kategorie, duke garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë.
“Ftoj të gjithë qytetarët dhe bizneset që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi, duke pajisur objektet e tyre me certifikata të përdorimit. Ky është një hap i rëndësishëm drejt sigurisë juridike, rritjes së vlerës së pronës dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim ekonomik. Ky proces është një nga zotimet e mia të dhëna para qytetarëve dhe sot po e konkretizojmë me veprime të qarta. Bashkërisht po ndërtojmë një komunë më të rregullt, më të zhvilluar dhe me perspektivë të sigurt për të ardhmen”, ka thënë Prebreza.






