Screenshot
Lokale - eSIMy

Një rast shqetësues është zbuluar në Fushë Kosovë, ku një person i gjinisë femërore dyshohet se ka hyrë në oborrin e një shkolle duke mbajtur me vete një armë të gjatë.

Bëhet fjalë për Arbnora Seferin (20-vjeçare), e cila është identifikuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga policia dhe njësitë e inteligjencës.

Ngjarja fillimisht ishte evidentuar më 1 prill, kur persona të dyshuar kishin hyrë në oborrin e shkollës “Zejnel Salihu” në fshatin Pomozotin, ndërsa njëra prej tyre ishte parë duke mbajtur një çantë ku dyshohej se ndodhej një armë e gjatë.

Pas hetimeve, më 9 prill është siguruar prezenca e të dyshuarës, e cila gjatë intervistimit ka treguar edhe vendndodhjen e armës.

Në bashkëpunim me njësinë e forenzikës, është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me dylbi optike, e cila është dërguar në dhomën e dëshmive.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.