Lokale - eSIMy

Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, gjatë një fjalimi në Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i ka bërë thirrje Serbisë që të përballet me realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Ai theksoi se Kosova mbetet e gatshme për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe fqinjësore, por sipas tij, pengesa kryesore vazhdon të jetë Serbia.

“Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin të një hegjemonie”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, Beogradi jo vetëm që nuk është i interesuar për normalizim, por gjithashtu vazhdon të mbajë peng stabilitetin rajonal me qasje hegjemoniste. Ai i bëri thirrje Serbisë që të njohë sovranitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në paqe në rajon.

Ministri Konjufca, gjithashtu ngriti shqetësimin për ndërhyrje të vazhdueshme të Serbisë në proceset demokratike në Kosovë. Ai përmendi përpjekjet për ndikim në zgjedhje dhe mbështetjen ndaj Listës Serbe, me synimin për të ndikuar në drejtimin politik të vendit.

“Beogradi ka vazhduar të luajë rolin e vet destruktiv duke u përpjekur të ndërhyjë në zgjedhje, duke u përpjekur për ta mbështetur Listën Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke synuar ta reflektojë drejtimin e vet me një parti në pushtet. Ne kemi penguar ndërhyrje të tilla të huaja dhe kemi arritur të ruajmë dinjitetin e institucioneve tona demokratike”, ka thënë tutje ai.