Opinionisti politik Ilir Deda ka reaguar pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se ky institucion “e sqaroi njëherë e përgjithmonë” këtë proces.
Në një postim në Facebook, Deda renditi disa nga pikat kryesore të vendimit, duke theksuar se Gjykata ka sqaruar procedurat dhe ka rrëzuar disa nga pretendimet e partive në pushtet.
“Gjykata Kushtetuese sqaroi njëherë e përgjithmonë çështjen e zgjedhjes të presidentit të Kosovës: sqaroi procedurën 60 ditëshe, duke e rrëzuar pretendimin e partive në pushtet; sqaroi që nuk ka mandat detyrues deputetëve, siç kërkuan partitë në pushtet”, ka shkruar ai.
Sipas tij, vendimi përcakton qartë edhe pasojat në rast të moszgjedhjes së presidentit.
“E përcaktoi shpërndarjen automatike të Kuvendit, nëse nuk zgjidhet presidenti – që asnjë lojë politike nuk mund ta zhbëjë”, ka theksuar Deda.
Ai shtoi se Gjykata ka sqaruar edhe rolin e presidentit si figurë mbi partiake.
“Sqaroi që në bazë të kompetencave Kushtetuese presidenti nuk përfaqëson grupe apo interesa partiake”, ka shkruar ai.
Deda përmendi edhe aspektin e dekretit të presidentes, duke e cilësuar vendimin si udhërrëfyes për të ardhmen.
“E shfuqizoi dekretin e presidentes, por duke e vendosur si argumentim valid për të ardhmen kur të jetë në rend dite zgjedhja e presidentit. Shkurt e shqip, nëse nuk mund të mirreni vesh – pa imponim, shkohet në zgjedhje”, ka shtuar ai.






