Lokale - eSIMy

Fazli Nrecaj, që nga 7 tetori i vitit të kaluar, po vazhdon të jetë në arrati.

I njëjti është i dyshuar në rastin e 500 kilogramëve narkotikë, konkretisht veprat penale “kultivimin e bimëve narkotike, blerjen, posedimin dhe shitjen e paautorizuar të substancave psikotrope”, si dhe “mbajtjen e paautorizuar të armëve”.

E për kapjen e tij po punohet intensivisht.

Kështu deklaroi për Klankosova.tv Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

Ai iu bëri thirrje edhe qytetarëve që të bashkëpunojnë me autoritetet.

“Personi në fjalë është në kërkim, lidhur me dyshimet për veprat e përmendura më lart. Për rastin janë njoftuar të gjitha njësitë përgjegjëse. Policia e Kosovës është duke punuar intensivisht për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Njëkohësisht, Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion lidhur me vendndodhjen e personit në fjalë, të njoftojnë Policinë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor”, deklaroi Bytyqi për Klankosova.tv.

Derisa në media, ditëve të fundit u raportua se 46-vjeçari është parë duke lëvizur i armatosur nëpër fshatrat e Suharekës duke krijuar shqetësim edhe te qytetarët.