Lokale - eSIMy

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues  ndaj pesë të akuzuarve për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar (së bashku) me 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Rrahman Beqiri e Lutfi Shala.

Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, kurse Izet Sheqiri edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas vendimit, i akuzuari Kadri Sheqiri u dënua me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Kadri Brahimi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, Faton Vrajolli me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, Fehmi Bytyqi me 10 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Kurse, Izet Sheqiri u dënua me 20 vjet burgim dhe 60 mijë euro gjobë për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe 3 mijë euro për “Armëmbajtje pa leje”. Gjithsej, 63 mijë euro gjobë.

Të akuzuarve Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi iu caktohet masa e paraburgimi, ndërkaq të tjerëve iu vazhdohet kjo masë deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Në dënimin me burgim, të akuzuarve iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Konfiskohet sasia e narkotikut dhe mjetet që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, dhe arma për të cilën u shpall fajtor i akuzuari Izet Sheqiri.

Të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 500 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.