Tre shtetasit e Shqipërisë, në mesin e tyre një oficer i Policisë së Shqipërisë, të cilët u kapën me një milion euro kesh në Merdarë muajin e kaluar, do të shkojnë në paraburgim.
Vendimin e ka nxjerrë të mërkurën një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit.
Apeli e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili i la të lirë tre të dyshuarit Aurel Kaziu, Ardit Laska dhe Edmir Ahmagjokaj.
Aurel Kaziu, oficer i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, i pezulluar nga detyra pas kapjes me 1 milion euro në Merdarë
Saga me masën e sigurisë ndaj të dyshuarve kishte nisur që më 27 shkurt, tri ditë para se furgoni me një milion euro kesh të padeklaruara ishte kapur duke hyrë në Kosovë në pikëkalimin kufitar të Merdarës.
Gjykata Themelore ia kishte refuzuar Prokurorisë Speciale kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve me arsyen se prokurorja Shenaj Berisha, në kërkesën e saj, nuk kishte prezantuar prova që mbështesnin bazën e dyshimit.






