Lokale - eSIMy

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani tha se Gjykata duhet të vendosë urgjent masën e përkohshme ndaj dekretit të nxjerrë sot nga presidentja në largim Vjosa Osmani.

Ai tha sot se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është anti-kushtetues.

Hasani ka thënë se mbrëmë pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit, ka filluar edhe rrjedhja e afatit 60 ditor.

“Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit. Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës. Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor. Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues”, ka thënë ai për Kosova Press.

“Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror. Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial”, ka shtuar Hasani.

Presidentja në largim Vjosa Osmani ka nxjerrë sot dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur një president të ri.

Osmani tha se Kushtetuta e Kosovës e parasheh qartë se në rast dështimi të zgjedhjes së presidentit më së voni 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë Kuvendi shpërbëhet dhe rrjedhimisht vendi shkon në zgjedhje.