Lokale - eSIMy

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të martën se vendi i tij do ta dërgojë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle” në Detin Mesdhe dhe është duke punuar për ndërtimin e një koalicioni që do ta ndihmonte sigurimin e trafikut detar të vënë në rrezik nga kriza që po përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.

Në një fjalim televiziv para popullit, Macroni tha se kjo masë është e nevojshme, kur Ngushtica e Hormuzit është mbyllur, ndërsa Kanali i Suezit dhe Deti i Kuq si rrugë detare po rrezikohen nga konflikti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kemi interesa ekonomike për t’i mbrojtur, sepse çmimet e naftës, çmimet e gazit dhe situata tregtare ndërkombëtare po cenohen thellësisht nga kjo luftë” – tha presidenti francez.

Ai shtoi se Franca gjithashtu ka dërguar një luftanije në Qipro dhe ka rrëzuar dronë në qiellin mbi vendet aleate të Gjirit Persik.

Në mesin e aseteve ushtarake që po përdoren janë aeroplanët luftarakë “Rafale”.

“Kemi marrëveshje të mbrojtjes që na lidhin me Katarin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Këto të fundit janë posaçërisht të shënjestruara dhe ne ua kemi borxh solidaritetin” – tha më tej Macroni.

Sipas tij, Franca do t’i ndihmojë shtetasit e saj që duan të largohen nga rajoni dhe se dy fluturime pritej të arrinin në Paris të martën në mbrëmje. Presidenti tha se edhe masat e sigurisë në disa zona në Francë janë shtuar.

Më tutje, Macroni tha se Irani “e bart përgjegjësinë kryesore” për veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, por shtoi: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë vendosur që të nisin operacione ushtarake. Ato u kryen jashtë të drejtës ndërkombëtare, gjë që ne nuk mund ta miratojmë.”