Një vlerë prej 1 milion eurove të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni janë gjetur nga zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë.
Vlera milionëshe e cila nuk ishte deklaruar fillimisht ishte vërejtur nga skanerët dixhitalë me rreze X të Doganës së Kosovës.
KALLXO.com ka mësuar detaje në lidhje me personat e dyshuar të cilët po futnin brenda Kosovës 1 milion euro të padeklaruara te autoritetet doganore.
Siç ka mësuar KALLXO.com, të dyshuarit janë Ardit Laska, polic në radhët e Policisë së Shtetit në Shqipëri; Ahmet Kaziu dhe Etnik Ahmaxhokaj.
Në anën tjetër, Dogana e Kosovës ka njoftuar se më 24.02.2026, në pikë kalimin kufitar në Merdarë, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.
Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.
“Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike. Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit”- thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës të datës 24.02.2026.
Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro.
Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes ndërsa është njoftuar edhe prokurori.
Sipas njoftimit, Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.






