Lokale - eSIMy

Në hutben e mbajtur këtë të premte në Xhaminë e Shalës së Bajgorës, në fshatin Bajgorë, hoxha Kushtrim Isufi, student i Shkencave Islame, përcolli një mesazh të fuqishëm në mbrojtje të çlirimtarëve dhe bëri thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor të 17 Shkurtit në Prishtinë.

Në prag të muajit të Ramazanit, ai rikujtoi se liria e Kosovës është amanet i fituar me sakrificë dhe besim, duke theksuar se 17 Shkurti mbetet dëshmi e qëndresës, e gjakut të dëshmorëve dhe e luftës për dinjitet e liri.

Sipas tij, sakrifica për liri nuk duhet harruar dhe nuk duhet heshtur ndaj padrejtësive, por duhet qëndruar pranë së vërtetës historike.

Hoxha Isufi ftoi besimtarët që më 17 Shkurt, në ora 14:00, në Prishtinë, të marrin pjesë në marshin paqësor “Liria ka emër”, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit, unitetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Në fund të hutbes, ai u lut që Zoti ta bekojë Kosovën, t’i mëshirojë dëshmorët dhe ta ruajë lirinë e vendit.