Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 20 vjet në 17 vjet burgim Orges Zhugollit, i akuzuar për vrasjen e A. Zh., pas një konflikti në komunikacion në shtator të vitit 2022, në Gllamnik të Podujevës.
Orges Zhugolli më 04.06.2025 nga Gjykata e Prishtinës ishte dënuar më 20 vite burgim për vrasjen e A. Zh. në Gllamnik të Podujevës.
“Me aprovimin e pjesshëm të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Orges Zhugolli, avokatit Naim Rudari, por edhe sipas detyrës zyrtare, NDRYSHOHET Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë {…} vetëm përkitazi me sanksionin penal – dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarit Orges Zhugolli, për shkak të veprës penale vrasje nga neni 172 të KPRK-së, i përcakton dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatëmbëdhjetë (17) vite, në të cilin dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 15.09.2022 e tutje”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me pjesën liruese dhe e mbrojtësit të akuzuarit Orges Zhugolli, avokatit Naim Rudari për bazat tjera ankimore, janë refuzuar si të pa bazuara.
Lidhur me aktgjykimin e Themelores të datës 04.06.2025 ankesat e tyre pranë Gjykatës së Apelit i kanë paraqitur palët në procedurë.
Në Gjykatën e Apelit seanca për këtë rast ishte mbajtur më 02.10.2025.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore të Prokurorisë për një dënim të ashpër nuk janë të bazuara, ndërsa pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit për një dënim më të butë janë të bazuara.
Sipas Gjykatës së Apelit dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë, prej 20 vite burgim është dënim i ashpër, kjo duke u bazuar në kronologjinë dhe mënyrën si është zhvilluar ngjarja.
“Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës parë për piken I të dispozitivit të aktgjykimit së prej 20 (njëzet) vite burgim në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, rrjedhimisht bazuar në kronologjinë, dinamikën se si është zhvilluar ngjarja, kur merren parasysh edhe fakti i jo-planifikimit të mëparshëm tek i akuzuari, por ngjarja ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve në komunikacion, pastaj fakti se i akuzuari dhe ndjeri nuk njiheshin me parë ndërmjet vete”- thuhet në vendimin e Apelit.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se në seancën e kolegjit, mbrojtësi i të akuzuarit Orges Zhugolli, avokati Naim Rudari ka dorëzuar një kopje të marrëveshjes së pajtimit në mes dy familjeve Zh. dhe Zhugolli të formalizuar edhe tek noteri.
Sipas Apelit nga kjo rezulton se palët janë pajtuar që të mos ndjekin hakmarrjen dhe të mos e cenojnë asnjë akt që do të cenonte sigurinë dhe nderin e familjes tjetër.
“Sipas këndvështrimit të Kolegjit rrethanat e tilla në unitetin e tyre tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, mund të arrihet qëllimi ndëshkimor i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”- thuhet në vendim.
Sipas Apelit dënimi në kohëzgjatje prej 17 vite burg ndaj të akuzuarit Orges Zhugolli është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe se ky dënim i shqiptuar është i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e dënimit.
Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë nga kolegii gjykues i përbërë nga Mentor Hajraj (kryetar i kolegjit), Kadrije Goga- Lubishtani dhe Valbona Musliu Selimi (anëtarë).
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit mban datën 31.10.2025.
Vendimi në shkallën e parë ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje të Ertan Sejfulla (kryetar i trupi gjykues) dhe Fatime Dërmaku dhe Naser Foniqi (anëtarë).
Në seancën e datës 27.05.2025, i akuzuari Orges Zhugolli ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për vrasjen e A. Zh., pas një konflikti në komunikacion në shtator 2022.
Ndërsa për pikën 2 të aktakuzës “armëmbajtje pa leje” i njëjti është liruar, pasi gjyqtari, Ertan Sejfulla kishte thënë se nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale, meqë nuk i është gjetur thika.
Gjyqtari Ertan Sejfulla në këtë seancë të mbajtur më 27.05.2025 kishte thënë se do të ketë edhe një seancë tjetër për lartësinë e mbajtjes së dënimit.
Më datë 30.05.2025 është mbajtur seanca për lartësinë e mbajtjes së dënimit. Në këtë seancë, prokurori, Arben Hoti dhe avokati i të akuzuarit, Naim Rudari kanë paraqitur rrethanat lehtësuese dhe rrethanat rënduese që gjykata duhet ti ketë parasysh kur të caktoj lartësinë e dënimit.
Prokurori, Hoti ka kërkuar që të dënohet me dënim maksimal i akuzuari duke specifikuar rrethanat rënduese si shkalla e lartë e dashjes, prezenca e dhunës në kryerjen e veprës penale, faktin që viktima ka qenë e pa mbrojtur, si rrethanë tjetër rënduese sipas prokurorit është mosha e viktimës e cila ka qenë vetëm 22 vjeçar, dëmi i cili është shkaktuar (vdekja e një personi), mungesa e provokimit nga i ndjeri, sjellja e të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale si arratisja e tij, mungesa e pendesës.
Kurse avokati, Naim Rudari kishte thënë se veprimet e Zhugollit në këtë rast kanë qenë pothuajse në afekt mendor dhe ka munguar lidhja kauzale mes veprimit dhe pasojës së shkaktuar se sipas tyre, i akuzuari ka shkaktuar pasojën fillestare por jo edhe pasojën përfundimtare.
Sipas Rudarit, vdekja e të ndjerit ka ardhë si pasojë e një plage që ishte shkaktuar nga përleshja me Zhugollin por që mjekët nuk kishin arritur ta identifikonin dhe ta mjekonin duke shkaktuar gjakderdhje.






