Pas një periudhe të vështirë përballjeje me një sëmundje të rëndë, humanisti dhe biznesmeni i njohur nga Mitrovica, Agron Zeneli, ka arritur ta fitojë betejën më të madhe të jetës së tij.
Zeneli ka ndarë me ndjekësit e tij një mesazh të fuqishëm reflektimi dhe mirënjohjeje, duke treguar se kjo sprovë nuk e theu, por e bëri më të fortë dhe më të vetëdijshëm për vlerën e jetës, shkruan Jepi zë
Ai u shpreh se sëmundja nuk ishte dënim, por një thirrje për ta kuptuar më thellë jetën, për të ndier çdo frymë me mirënjohje dhe për të dashur më sinqerisht. Zeneli theksoi se gjatë gjithë kësaj periudhe gjeti forcë në familjen, miqtë dhe Zotin, të cilit i është mirënjohës për forcën e qëndrueshmërisë.
“Edhe kur gjunjët u drodhën, shpirti im qëndroi drejt. Në çdo dhimbje gjeta forcë, në çdo frikë gjeta dritë. Zoti e di rruga nuk ishte e lehtë, por unë po ngrihem sërish më i qetë, më i fortë dhe më falënderues,” ka deklaruar ai.
Agron Zeneli u shpreh se kjo betejë nuk ishte vetëm për trupin, por për shpirtin, dashurinë dhe vetë jetën. “Dhe këtë herë, unë fitoj,” përfundoi ai me një mesazh shprese dhe frymëzimi.






