Lokale - eSIMy

Një akt i ndershmërisë qytetare është shënuar sot në Rahovec, ku një qytetar ka dorëzuar në polici një shumë parash që kishte gjetur gjatë lëvizjes së tij në qytet.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, qytetari Skender Krasniqi nga fshati Ratkoc, derisa po kalonte në rrugën “Mulla Cufa” në Rahovec, ka gjetur 1,800 euro (nëntë kartëmonedha nga 200 euro secila) dhe i ka dorëzuar menjëherë në Stacionin Policor të Rahovecit.

Pas veprimeve hetimore, policia ka identifikuar pronarin e shumës dhe ia ka kthyer paratë.

Policia ka vlerësuar gjestin e Krasniqit si shembull të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke theksuar se veprime të tilla forcojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të ndershme.