Lokale - eSIMy

Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës ka shpallur ftesën publike për aplikim në projektin

“Furnizimi dhe montimi i serrave”, me qëllim të përkrahjes së fermerëve lokalë në zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit vendor.

Sipas njoftimit zyrtar, komuna do të mbështesë gjithsej:

134 përfitues me serra 50 m²,
10 përfitues me serra 500 m²,
5 përfitues me serra 1000 m².
Dokumentet e nevojshme për aplikim:
Aplikuesit duhet të dorëzojnë kopjen e letërnjoftimit, certifikatën e bashkësisë familjare, vërtetimin e tatimit në pronë, certifikatën mbi pronësinë e tokës me skicë e plan, certifikatën e regjistrimit si fermer (NIF) si dhe raportin e pagesave direkte/subvencioneve për vitin 2025 (për aplikuesit me serra mbi 500 m²).

Kushtet e përgjithshme për aplikim:
Aplikuesi duhet të jetë i regjistruar si fermer para datës së publikimit të thirrjes;
Duhet të ketë përshtatshmëri të vendit për realizimin e projektit;
Të ketë mundësi të mjaftueshme për ujitjen e serrës.
Kushtet e veçanta për aplikim:
Të jetë kultivues i perimeve (për serra 50 m²);
Të ketë së paku 1 hektar tokë bujqësore, prej të cilës 20 ari të kultivuar me perime (për serra 500 m²);
Të ketë së paku 1 hektar tokë bujqësore, prej të cilës 50 ari të kultivuar me perime (për serra 1000 m²).
Përparësitë në përzgjedhje (me pikë):
Fermerët që nuk kanë përfituar nga komunë apo donatorët në 3 vitet e fundit (10 pikë);
Ata me përgatitje profesionale bujqësore (10 pikë);
Aplikimet nga gratë fermere (10 pikë);
Numri i anëtarëve të familjes (deri në 10 pikë);
Vizita në terren (deri në 10 pikë).
Në total, aplikuesit mund të grumbullojnë deri në 50 pikë.

Bashkëfinancim dhe afati i aplikimit
Projekti do të realizohet me bashkëfinancim ndërmjet komunës dhe përfituesve, ku fermerët do të mbulojnë 30% të vlerës së projektit, ndërsa komuna 70% përmes subvencioneve.

Fermerët kanë të drejtë të aplikojnë vetëm për njërën nga tri përmasat e serrave, ndërsa aplikimet për më shumë se një madhësi nuk do të merren në konsideratë.

Aplikimet dorëzohen në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve deri më 27 nëntor 2025, ora 16:00.