Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Gjakovë, ku një zyrtar i BE’së është therur me thikë dhe ka pësuar plagë të rënda trupore.
Sipas Policisë së Kosovës, një shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Kujdesit Mjekësor Familjar (QKMF) në Gjakovë, pasi kishte marrë dy plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.
“Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe po hetohet nga njësitë përkatëse policore.
Personi i plagosur është identifikuar si Stefan Ilianov Sheynov, rreth 49-vjeçar, zyrtar i Zyrës së BE-së, i cili gëzon imunitet diplomatik. Sipas të dhënave fillestare mjekësore, ai ka dy plagë shpuese, një në qafë dhe një në gjoks, që dyshohet të jenë shkaktuar nga një mjet i mprehtë.






