Një mjek në Vushtrri është arrestuar të martën nën dyshimin për marrje të ryshfetit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë, pas hetimeve disamujore dhe pas zbatimit të masave të veçanta hetimore ka arrestuar mjekun e dyshuar, thuhet në njoftimin e lëshuar nga autoritetet.
Ai akuzohet se në këmbim të mjeteve monetare ka lëshuar vërtetime të ndryshme mjekësore për qytetarët.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Avdullah Vojvodën, rreth 61-vjeçar, gjatë muajve gusht – tetor 2025 ka pranuar shuma të ndryshme parash nga 10 deri në 50 euro, në këmbim të lëshimit të raporteve për pushime mjekësore apo trajtime të tjera.
Me vendim të prokurorit, personit të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar hetim për veprat penale: “Marrja e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hetimet pritet të vazhdojnë për të verifikuar nëse në këtë skemë janë përfshirë edhe persona të tjerë nga stafi i QKMF-së.







