Një incident me armë zjarri ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Prizren, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur dy persona me armë në një lokal nate.
Burime të besueshme nga Prokuroria Themelore në Prizren bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 02:00 në lokalin “Swiss” në lagjen Arbane, ku Gjok Tushi, rreth 59-vjeçar dyshohet se, pas një konflikti, ka përdorur një armë për të kërcënuar B.Sh., rreth 59-vjeçar dhe B.R., rreth 27-vjeçare.
Në reagim të menjëhershëm, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili kishte në posedim një armë. Arma dhe municioni janë sekuestruar nga sektori i forenzikës si prova materiale.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, dhe “Kanosje”.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin dhe rrethanat e incidentit.






