Lokale - eSIMy

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Junikut.

Sipas Leonard Llollunit, kryetar i degës së AAK-së në Junik, kjo marrëveshje synon krijimin e një qeverisjeje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme, me fokus kryesor tek interesi i qytetarëve.

“Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak”, ka thënë Llolluni.

Ai shtoi se marrëveshja është një hap i rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në komunë, ku bashkimi i forcave bëhet për të mirën e përbashkët dhe për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Junikut.

“Me këtë marrëveshje, ne po dëshmojmë se kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkimi bëhet për të mirën e përbashkët”, tha Llolluni.