Një rast i dhunës në familje është raportuar të dielën në mëngjes në Malishevë, ku një grua ka njoftuar Policinë se është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj.
Sipas burimeve të besueshme, ngjarja ka ndodhur më 26 tetor rreth orës 07:00 në rrugën “Hamdi Berisha”, ku Sh. B. rreth 28-vjeçare ka deklaruar se pas një mosmarrëveshjeje është përballur me dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti i saj H. M. rreth 48-vjeçar.
Policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës, duke e shoqëruar në stacion të dyshuarin, i cili në deklaratën e dhënë ka pranuar debatin me bashkëshorten, por ka mohuar çdo akt dhune.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në Familje”.
Sipas informacioneve, me pëlqimin e saj deklarativ, viktima është kthyer në banesë së bashku me bashkëshortin, ndërsa lënda është proceduar për trajtim të mëtejmë në Prokurorinë Themelore.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.






