Lokale - eSIMy

Ish-bashkëpunëtori i Behgjet Pacollit, Valon Lluka ka reaguar fuqishëm pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku sipas tij përmendet emri i tij në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Lluka ka thënë se ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik dhe të mbrojë integritetin e tij personal dhe profesional.

Ai është shprehur se deklaratat e Pacollit janë të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.

Lluka shton se Pacolli, pavarësisht dijenisë së plotë mbi çdo fazë të procedurave, ka zgjedhur të bëjë deklarata të rreme.

“Deklaratat e z. Pacolli janë plotësisht të pavërteta dhe pa asnjë bazë faktike.
Më vjen keq që një person që ka qenë në dijeni të plotë për çdo fazë dhe çdo hap të procedurave përkatëse, sot zgjedh të bëjë deklarata të rreme, ndërkohë që për çdo veprim ekzistojnë dokumente të noterizuara dhe të pajisura me apostil ndërkombëtar, përfshirë vendime aksionarësh dhe autorizime të nënshkruara jo vetëm nga vetë z. Behgjet Pacolli, por edhe nga Mabco Construction SA, Lugano, si pronare ligjore e aksioneve“, ka shkruar ai në Facebook.

Ai bën të ditur se të gjitha dokumentet dhe transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës.

“Të gjitha këto dokumente, së bashku me transferet bankare ndërmjet palëve të përfshira në këtë transaksion, janë dorëzuar tashmë në Prokurorinë e Tiranës si prova dhe fakte zyrtare që dëshmojnë ligjshmërinë dhe transparencën e plotë të çdo veprimi tim. Në rrethana të tilla, për shkak të deklaratave të pavërteta dhe shpifjeve që dëmtojnë rëndë imazhin dhe reputacionin tim, kam vendosur të ngre padi për dëmtim imazhi dhe shpifje, duke bashkangjitur të gjitha provat, dokumentet dhe komunikimet përkatëse që vërtetojnë të kundërtën e çdo pretendimi të bërë publikisht“, shkroi ai.

Ai ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve, dhe shpreh besimin se drejtësia do të vërtetojë çdo fakt.

“Unë mbetem i përkushtuar ndaj së vërtetës, ligjit dhe institucioneve, i bindur se drejtësia do të vërtetojë çdo fakt dhe se opinioni publik do të njoftohet me realitetin e plotë të kësaj çështjeje”, shkroi ai.