Screenshot
Lokale - eSIMy

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përderisa po e priste në takim kryeministrin e Australisë, Anthony Albanese, të hënën në Shtëpinë e Bardhë, u pyet edhe për komentet fyese që i kishte bërë në të kaluarën Kevin Rudd, tani ambasador i Australisë në Uashington.

Kur u pyet për komentet e ambasadorit, i cili kur kishte folur për Trumpin nuk e mbante këtë pozitë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Nuk di asgjë për të – nëse ai tha [gjëra] të këqija, ndoshta do të donte të kërkonte falje”, shkruan gazeta “The Independent”.

Edhe pse Trumpi pretendoi se nuk dinte asgjë për australianin Rudd, më parë e kishte përshkruar si “jo llamba më e ndritshme”.

Trumpi më pas u kthye nga mysafiri Albanese, që e kishte në krahun e djathtë, dhe e pyeti: “A ka thënë ambasadori diçka të keqe për mua?”

Kryeministri Albanese reagoi me buzëqeshje. Trumpi vazhdoi: “Mos më trego.”

“Ku është ai, a është ende duke punuar për ty” – e pyeti presidenti amerikan Albanesen. “Po” – ia ktheu mysafiri.

Kur Trumpi kuptoi se ambasadorin Australian e kishte para vetes, bëri me gisht dhe e pyeti “A the keq [gjëra të këqija për mua]?”

“Para se ta merrja këtë pozitë, zotëri president” – i tha ai.

“As ti s’më pëlqen mua… dhe ndoshta nuk do të më pëlqesh kurrë” – ia ktheu Trumpi, duke shkaktuar të qeshura dhe një moment sikleti në sallë.

Kryeministri australian vetëm qeshi. Trumpi kërkoi që të vazhdonin pyetjet e tjera të gazetarëve.

Në të kaluarën, Rudd e kishte kritikuar Trumpin dhe madje kishte përdorur shprehje fyese – “idiot fshati”.