Një aksion i policisë në Podujevë, që kishte për objekt kërkimin e një personi të dyshuar për dhunë në familje, ka rezultuar me një gjetje të papritur, drogë të fshehur në një ndërtesë të braktisur.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur më 7 shtator, rreth orës 13:40, në rrugën “Skënderbeu” të Podujevës. Njësia e Hetimeve me Forenzikën kishte dalë në terren për të lokalizuar një person të dyshuar, që sipas informatave fillestare mund të ishte Erion Salihu, megjithatë identiteti nuk u konfirmua.
Gjatë kontrollit në oborrin e ish-Burgut, në një ndërtesë të vjetër, policia ka zbuluar një sasi prej 4.13 gramësh substancë narkotike, e cila dyshohet të jetë marihuanë. Droga është sekuestruar menjëherë në cilësi të provës materiale.
Në lidhje me rastin është njoftuar Njësia e Antidrogës dhe Prokurori, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” dhe vazhdimin e kërkimeve për personin e dyshuar.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.