Lokale - eSIMy

Gentrit Arifi, ka zyrtarizuar kandidaturën për asamble komunale në Podujevë.

Ai do të jetë bartës i listë zgjedhore “Unioni i Blakçorve”.

Në shkrimin e tij, Arifi ka treguar se ditëve në vazhdim do ta paraqesin edhe programin zgjedhor.

Shkrimi i plotë;

Të nderuar qytetarë të Llapit,

Të jesh anëtar i Kuvendit Komunal do të thotë të përfaqësosh zërin e qytetarëve. Ky rol kërkon përkushtim që idetë, nevojat dhe problemet e tyre të mos mbeten vetëm të dëgjuara, por të trajtohen dhe të marrin zgjidhje, pa dallime politike, gjinore apo shoqërore.

Të moshuarit, të rinjtë, bujqit, nxënësit, bizneset dhe punëtorët meritojnë më shumë. Shëndetësia, arsimi, kultura, sporti, bujqësia, mjedisi, infrastruktura dhe mirëqenia e qytetarëve nuk janë në nivelin që gjenerata të tëra e kanë ëndërruar dhe për të cilin kanë dhënë kontribut.

Si i diplomuar në Teknologji Ushqimore dhe pjesë e një familjeje të angazhuar në biznes që nga vitet e hershme të para luftës, kam fituar përvojë të drejtpërdrejtë mbi nevojat e shoqërisë sonë. Kjo më ka bërë të kuptoj rëndësinë e zhvillimit ekonomik, të aktiviteteve rinore, sportive e kulturore, dhe të një fryme pozitive për qytetin tonë.

Në këtë garë për Kuvendin Komunal, me iniciativën Unioni i Blakçorëve, falënderoj drejtuesit për besimin, ashtu si edhe familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët që më kanë inkurajuar. Premtoj se nuk do të zhgënjej askënd, por do të jem zëri juaj i vendosur për ndryshime pozitive.

Me këtë bindje dhe me programin që do ta paraqesim gjatë fushatës zgjedhore, ju ftoj me përulësi të më besoni votën tuaj në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.     

Me respekt e përkushtim, për të mirën e përbashkët!

Gentrit Arifi