Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka paralajmëruar qytetarët për rreziqet që paraqesin temperaturat e larta gjatë kësaj jave, duke rekomanduar masa konkrete për mbrojtjen e shëndetit.

IKSHPK përmes një komunikate të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka dhëne disa këshilla rreth temperaturave të larta gjatë kësaj jave.

“Ndiqni këto këshilla të thjeshta për të mbajtur trupin të freskët dhe të hidratuar gjatë ditëve të nxehta: Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe nga pambuku, bëni dush ose banjë të freskët, dhe pini ujë rregullisht – të paktën një gotë në orë dhe 2-3 litra në ditë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Në të njëjtën anë, Ministria e Shëndetësisë të hënën ka bërë thirrje që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për punëtorët, për periudhën 11–15 gusht 2025, për të shmangur pasojat e ekspozimit ndaj temperaturave ekstreme.

Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.