Avokati Xhevdet Smakiqi, ka thënë se veprimi i zyrtarëve policorë nuk duhet të trajtohet si vrasje nga pakujdesia, por si vrasje me dashje eventuale apo direkte, dhe se dënimi i tyre duhet të përcaktohet sipas nenit 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Unë, duke mos paragjykuar fajësinë, sepse vlen parimi i prezumimit të pafajësisë sipas nenit 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), konsideroj se kualifikimi i veprës penale ndaj të dyshuarve – zyrtarëve policorë – duhet të bëhet në kuptim të nenit 172 të KPRK-së, ku dënimi është jo më pak se 5 vjet,” ka deklaruar ai.
Smakiqi për GazetaBlic ka argumentuar se në këtë rast nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ta trajtuar ngjarjen si një rast të vrasjes nga pakujdesia, duke theksuar:
“Kjo, pasi në veprimet konkrete të të dyshuarve në bashkëkryerje, ekzistojnë elemente të dashjes eventuale por edhe të dashjes direkte. Prandaj, nuk ekzistojnë kushtet ligjore që kjo vepër të kualifikohet si ‘vrasje nga pakujdesia’ sipas nenit 175 të KPRK-së, ku dënimi parashihet nga 6 muaj deri në 5 vjet.”
Ai përjashtoi mundësinë që të jetë fjala për aksident apo neglizhencë, duke thënë se veprimet e policëve kanë qenë të qëllimshme dhe të dukshme.
“Vlerësoj se nuk kemi të bëjmë me vrasje nga pakujdesia, pasi nuk ka qenë aksident dhe nuk ka pasur pengesa fizike që do t’u pamundësonin kryesve të shohin gjendjen dhe pozitën e viktimës. Përkundrazi, duke e goditur me sprej, e më pas duke e sulmuar me gjunjë në fyt, qafë dhe trup për disa minuta, ata e kanë tejkaluar plotësisht përdorimin proporcional të forcës. Për më tepër, kanë kaluar përtej pakujdesisë së vetëdijshme dhe kanë vepruar me dashje eventuale, madje edhe me dashje direkte,” ka deklaruar Smakiqi.
Ai vuri theksin në videot e publikuara që sipas tij e pasqyrojnë qartë ngjarjen dhe do të shërbejnë si prova në gjykim.
“Konsideroj se gjendja faktike e paraqitur në videot që i kemi parë, ku në mënyrë të qartë kristalizohen veprimet konkrete të të dyshuarve, e sqaron mjaft mirë ngjarjen dhe do të administrohet si provë materiale në shqyrtimin gjyqësor. Prandaj, ndaj mendimin se kualifikimi i veprës penale duhet të bëhet sipas nenit 172 të KPRK-së, ku dënimi nuk mund të jetë më pak se 5 vjet për secilin të dyshuar,” theksoi ai.
Në fund, avokati Smakiqi tha se trajtimi i rastit si vrasje nga pakujdesia nuk qëndron as ligjërisht, as faktikisht.
“Mendoj se kualifikimi nga neni 175 i KPRK-së – ‘vrasje nga pakujdesia’, me dënim prej 6 muaj deri në 5 vjet – është në kundërshtim me gjendjen faktike dhe me interesin e drejtësisë,” përfundoi Smakiqi.






