E enjtja e 23 qershorit të vitit 2016 u kthye në ditën më të zezë për familjen Mramori nga Kolovica e Prishtinës.
Një gropë e lënë hapur nga punimet ndërtimore mori jetën e dy fëmijëve të mitur, Florentit dhe Florentës.
Babai i tyre, Muhamet Mramori, edhe pas nëntë vitesh e ka të pamundur të afrohet te vendi ku ndodhi tragjedia, ndonëse ndodhet vetëm disa metra larg shtëpisë së tij.
“Në një gropë që e kanë pas çelë kompanitë për me marrë zhavorr, u mbush me ujë prej shiut, edhe djali ka shku aty me lujt edhe ka rrëshqitë e ka ra, pastaj çika e madhe i ka pas 13 vjet, si e ka pa që s’po muj del, u hi edhe ajo. Tash i bëjnë 9 vjet, na si familje, mërzia mbetet gjithmonë njëjtë, por këta si shtet që e kanë lënë atë gropë hapur s’kanë ndërmarrë asgjë.” – ka thënë Mramori në një rrëfim për Nacionalen.
Sipas rrëfimit të familjes, gropa ishte hapur nga kompani që kishin marrë zhavorr për ndërtim. Por pas përfundimit të punës, askush nuk u kujdes ta mbyllte, duke lënë pas një rrezik të hapur për jetën.
Për këtë rast janë të akuzuar më shumë se pesë persona, zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe përfaqësues të kompanive private.
Megjithatë, drejtësia ka lëvizur ngadalë. Babai i fëmijëve thotë se për nëntë vjet ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet, por është përballur vetëm me heshtje.
“Në fillim, as në Gjykatë nuk kisha mundësi me gjetë lëndën, pastaj kam bë kërkesë në EULEX, ata e kanë pas gjetë lëndën. Kam qenë edhe te Avokati i Popullit, te Shoqata për të Drejtat e Fëmijëve, te krejt kam qenë, por nuk e di pse ka zgjatë kaq shumë, 9 vjet, të gjithë e kanë pa qysh ka ndodh, krejt e din kush e ka punu e kush e ka lanë hapur gropën.” – ka thënë ai ndër të tjera.
I zhgënjyer nga drejtësia u shpreh edhe avokati i familjes Mramori, Skënder Musa.
“Kjo është një çështje që duhet veprohet me prioritet sepse familja i ka humbur dy fëmijët, e çdo vjet kur është përvjetori e përkujtojnë si me ndodh atë ditë. Në këtë rast është dashur të veprohet me urgjencë, vendimi i shkallës së parë e ka aprovuar padinë, nuk është aprovuar në tërësi qysh ka kërku familja, mirëpo është aprovuar padia në të gjitha bazat, edhe bazës ligjore edhe bazës së dëmtimeve.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Në lidhje me rastin, për Gazetën Nacionale kanë dhënë detaje edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se të pandehurit S.B., I.K., S.B., A.M., dhe M.C., në këtë çështje dhe mbrojtësit e tyre, pas përfundimit të shqyrtimit fillestar, kanë paraqitur kërkesa për hedhje të aktakuzës, ndërsa gjykata me datën 18.04.2025 ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës. Për njoftimin tuaj, kundër të njëjtit vendim kanë paraqitur ankesë mbrojtësit e të pandehurve dhe tani lënda gjendet në Gjykatën e Apelit për vendosje.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Nacionalen.
Vetëm një ditë pas tragjedisë, gropa u mbyll. Në atë kohë, Xhelal Sveçla dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.
Kryetari i atëhershëm, Shpend Ahmeti, vizitoi familjen Mramori për të shprehur ngushëllime.
Për familjen, kjo ngjarje do të mbetet në kujtesën e tyre sa të jenë gjallë, por për të njëjtit një lehtësim mund të arrihet vetëm nëse do të ketë drejtësi.






