Lokale - eSIMy

Një person që po luan një rol vendimtar pas skenave të luftës midis Izraelit dhe Iranit është gjenerali Erik Kurilla, i njohur si “Gorilla”, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-ve, komandës për operacionet në Lindjen e Mesme.

Kështu raporton korrespondentja e Corriere della Sera-s në New York, Viviana Mazza.

Kurilla është një “skifter” që nxit një përgjigje të fortë ushtarake kundër Republikës Islamike dhe dëgjohet me vëmendje nga shefi i Pentagon-it, Pete Hegseth, i cili po i plotëson praktikisht çdo kërkesë për transportues avionësh dhe luftëtarë shtesë që do të dërgohen në Lindjen e Mesme, veçanërisht në një kohë të përfshirjes së mundshme të bazave amerikane në rajon.

Sipas Politico-s, ai po “luan një rol të madh në përshkallëzimin e përplasjes midis Teheranit dhe Izraelit”, duke dërguar më shumë armë në rajon pavarësisht shqetësimeve nga zyrtarë të tjerë të lartë të Pentagon-it, siç janë Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine dhe Drejtori i Politikave të Pentagonit, Elbridge Colby, se ai po “tërheq shumë burime në Lindjen e Mesme në kurriz të rajoneve të tjera”.

Kurilla gjithashtu kaloi më shumë kohë me presidentin Trump sesa çdo gjeneral tjetër, raporton Corriere della Sera duke cituar disa burime.