Kanosjet me armë zjarri po shfaqen gjithnjë e më shpesh nëpër komuna të ndryshme të vendit, ku përplasjet, shpeshherë edhe brenda familjes, po eskalojnë në incidente të rënda që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur të premten në fshatin Brainë të Podujevës, ku një përplasje mes dy familjarëve ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe sekuestrimin e një arme.
Burime të Sinjalit brenda organeve të rendit bëjnë me dije se më 13 qershor 2025, rreth orës 18:00, në rrugën “Turana”, është raportuar një incident mes personave me inicialet Q.J., rreth 33-vjeçar dhe X.A., rreth 65-vjeçar, ku ky i fundit dyshohet se e ka kanosur me armë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë intervistuar palët e përfshira, përfshirë një dëshmitar okular me inicialet D.J..
I dyshuari ka pranuar se ishte në posedim të një arme dhe e ka dorëzuar vullnetarisht një pushkë automatike dhe dy pako me municion, të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policorë.
Me pëlqimin e tij është kontrolluar edhe banesa, por nuk është hasur ndonjë objekt tjetër i dyshimtë.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërkohë që i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet janë në vazhdim.